Kastrioti kërkon të ruajë kreun, Ndreu: Në Dibër për 3 pikët e radhës

Kastrioti, në javët e fundit ka fituar stabilitet dhe po tregon se është një skuadër që e ka primare rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Këtë fundjavë, krutanët luajnë në Dibër, aty ku do të përballen me vendasit që i kanë edhe rivalë në betejën për kreun.

Synimi

Në një prononcim që ka dhënë për “Rtshsport”, trajneri Ramazan Ndreu ka pohuar: “Korabi është një ekip solid, me pretendime dhe ka luajtur ndeshje të mira. Ne kemi si avantazh që jemi në gjendje të mirë dhe që jemi në vend të parë. Kështu që edhe presionin e ka kundërshtari. Ashtu si në çdo ndeshje e luajmë për të dhënë më të mirën dhe të dalim me maksimumin”.

Gjykimi

Ndreu është një nga trajnerët me më shumë eksperiencë në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore. Aktualisht, i pari i pankinës krutane thotë se kjo ndeshje do të ketë një gjykim të drejtë edhe për vetë rëndësinë e madhe që ka në lidhje me synimin e të dyja ekipeve: “I besojmë gjykimit, është një ndeshje mes dy ekipeve pretendente dhe kam besim te arbitrat”.

Ambiciet

Në fund, duke mbyllur prononcimin e tij, trajneri krutan tha se: “Nga lojtarët dua vazhdimësinë dhe të vijojmë me këtë ritëm, pavarësisht se me kë luajmë. Deri në fund të vitit e kam thënë se ne duhet që të jemi një ekip që duhet që të mos ndalet”, – tha Ndreu në prag të sfidës me Korabin.

E.Saliu/Vipsport.al/

more recommended stories