Kastrioti ka një “malore” me Korabin, Ndreu: I kënaqur nga testi, çdo javë për fitore

Kastrioti në kampionat, në javët e fundit ka pasur një ecuri mjaft të mirë, ndërsa fundjavën e ardhshme, krutanët luajnë në transfertë, me Korabin, një nga ekipet solide dhe me pretendime në grupin A dhe synimi është marrja e pikëve të plota nga stafi i krutanëve.

Pas miqësores së zhvilluar të shtunën me Laçin ka folur trajneri Ndreu: “Miqësorja me Laçin na mban në ritëm, aq më tepër që kur luan ndaj një kundërshtari si laçi që ka vlera të shërben shumë. Doja të thoja se edhe lojtarët e rinj që aktivizova japin garanci dhe pa frikë mund të marrin pjesë në takimet e kampionatit.

Korabi

“Ndeshjen e radhës e luajmë në transfertë dhe përballë kemi një ekip si Korabi, rival i fortë që në këtë pjesë të kampionatit ka treguar se është një skuadër e fortë, ka kualitet dhe synon vazhdimësinë edhe kundërshtari ynë i radhës”.

Synimet

Në fund të deklaratës, trajneri i Kastriotit, tregon edhe synimin që ka skuadra e tij dhe ai vetë në këtë transfertë: “Megjithatë, ne do të jemi të përgatitur që të shkojmë në Peshkopi, të bëjmë lojën tonë dhe të marrim rezultat pozitiv, ku sigurisht për sa po punojmë dhe duke parë formën e djemve duam 3 pikët”, – tha Ndreu.

E.S./Vipsport.al/