Kasano ngul këmbë: Interi fiton titullin, Alegri është më mirë se Sarri

Antonio Kasano prej fillimit të sezonit ka shprehur bindjen se Interi do arrijë të shpallet në fund të kampionatit fitues i Serisë A, duke thyer dominimin e Juventus prej tetë viteve radhazi. Ndër të tjera, ish-sulmuesi thekson se trajneri Masimiliano Alegri është më mirë se Sarri, edhe pse ky i fundit fitoi pikë me zëvendësimin e Kristiano Ronaldos.

“ Mendoj se Interi e fiton titullin. Më kujton pak Juventusin e vitit të parë me Konten. Unë isha te Milani dhe ishim ne që e humbëm titullin. Juventusi aktual ka dy skuadra dhe mbetet më e forta dhe më e kompletuara, por është e dukshme prej një milje largësi se synon triumfin në Ligën e Kampionëve.

Alegri apo Sarri? Mendoj Alegri. Është një trajner i cili të ka dy apo tre linja loje, por nga tre të katërtat e fushës të lë të lirë dhe nuk të bllokon. Por, Sarri ka fituar shumë pikë së fundmi me historinë e Ronaldos”, u shpreh Kasano.