Kapelo i ashpër me Ronaldon: Nuk driblon kundërshtarët prej tre vitesh, Sarri tregoi personalitet

Është kthyer në një çështje zëvendësimi i Kristiano Ronaldos në mbrëmjen e djeshme, teksa Juventusi u përball me Milanin. Luzitani u shfaq jashtë forme, ndërsa trajneri Mauricio Sarri nuk nguroi ta ulte në stol. Edhe pse 34-vjeçari nuk e pranoi stolin, por iu drejtua dhomave të zhveshjes teksa mësohet se është larguar nga stadiumi para se të përfundonte ndeshja. Kështu, CR7 shpreh hapur pakënaqësinë në drejtim të Sarrit.

Mbi këtë temë është shprehur edhe trajneri Fabio Kapelo, i cili ka theksuar se Sarri është treguar me personalitet dhe se Ronaldo prej tre vitesh nuk driblon një kundërshtar. “ Është një kampion i madh, kjo nuk diskutohet. Por, në këto momente nuk është mirë dhe është e drejtë ta zëvendësosh. Sarri tregoi personalitet me atë zëvendësim dhe në fund fitoi ndeshjen. Fakti që Ronaldo nuk u ul në stol dhe pëshpëriti fjalë kundër Sarrit nuk është një imazh i bukur.

Duhet të jetë kampion edhe kur zëvendësohet, jo vetëm kur gjërat shkojnë mirë. Ai nuk është mirë, ndryshe nga Dibala, i cili është në formë. E vërteta është se Ronaldo nuk driblon një kundërshtar prej tre vitesh. Më kujtohet kur driblonte dhe i linte kundërshtarët në vend, këtë tashmë e bëjnë Kosta dhe Dibala”, u shpreh Kapelo. /Egi Çabeli-VipSport.al/