Kaosi pushton Napolin, Ançeloti mendon tërheqjen dhe pasuesi mund të jetë ish-trajneri i Shqipërisë

Aktualisht, klubin e Napolit e ka pushtuar kaosi. Nga njëra anë janë lojtarët dhe trajneri Ançeloti që kundërshtojnë urdhrat e presidentit De Laurentis, ndërsa ky i fundit i kërcënon me gjoba financiare nëse nuk binden. Situata është e rënduar për shkak se në këtë protestë ndaj vendimeve të presidentit janë edhe senatorë si Insinje, Mertens, Kajehon apo Alan.

Por, në këtë mes janë edhe ata më të rëndësishmit, tifozët. Ultrasit e Napolit zhvilluan një protestë ditën e djeshme, ku mbizotëronin thirrjet ‘mercenarë’ në drejtim të futbollistëve. Nuk shpëtoi nga thirrjet kundër edhe presidenti De Laurentis. Nga e gjithë kjo situatë, mediat italiane shprehen se Ançeloti po mendon tërheqjen.

Mes kandidatëve të mundshëm është edhe emri i ish-trajnerit që bëri histori me Shqipërinë, Xhani De Biazi. Presidenti De Laurentis ka në plan të ulë shpenzimet dhe të mos kontraktojë më teknikë me paga të larta. Në fakt, si pasues i Ançelotit konsiderohet edhe Spaleti, por ish-trajneri i Interit nuk futet te ato me kosto të ulët. Në këtë formë, alternativa e De Biazit është për t’u marrë në konsideratë, edhe pse është shpejt të flitet për diçka më konkrete. /Egi Çabeli-VipSport.al/