Kamberi: Ndeshjet me Kombëtaren janë privilegj, motivohen kur jam në presion

Risia më e madhe e listës së trajnerit të Shqipërisë, Edi Reja, për dy ndeshjet e fundit kualifikuese, ndaj Andorrës dhe Francës ishte Florian Kamberi. Sulmuesi, i cili aktivizohet në kampionatin skocez me skuadrën e Hibernian, pritet të debutojë me kuqezinjtë gjithnjë nëse ia del të plotësojë të gjitha burokracitë e nevojshme në kohë. Sakaq, në një intervistë për ‘Evening News’, 24-vjeçari shprehet se ndeshjet me Kombëtaren janë një privilegj. Ndërsa, thekson se me stadiumin e ri do të jetë një atmosferë fantastike, teksa nënvizon se nuk e ka problem faktin të jetë nën presion.

“ Do të jetë diçka madhështore të luaj këto dy ndeshje, dhe shpresoj të jem i përfshirë e të impresionoj stafin teknik. Çdo ndeshje e Kombëtares është një privilegj, pavarësisht kundërshtarit përballë. Por, të luaj ndeshjen time të parë apo të dytë ndaj një kundërshtari si Franca, të cilët janë kampionët e botës, e bën edhe më shumë emocionuese. Mund të krahasosh veten tënde me futbollistët më të mirë dhe të shikosh ku je, Do të jetë ndeshja e parë në stadiumin e ri, do të jetë një atmosferë fantastike. Është një periudhë e mrekullueshme për mua.

Nëse je një lojtar që aktivizohesh me Kombëtaren, njerëzit të shohin ndryshe. Ata kanë më shumë pritshmëri për ty, por mund ta përballoj shumë mirë presionin. Nuk jam i dobët nga ana mentale, më pëlqen presioni. Më motivon të jap më shumë dhe t’i provoj njerëzve të kundërtën, ata të cilët kanë një mendim negativ për mua. Mezi po pres për këtë dhe kam shumë besim. Dua të luaj sa më parë dhe të bëhem një futbollist internacional”, u shpreh Kamberi. /Egi Çabeli-VipSport.al/