Kamberi merr pasaportën shqiptare, tani troket në dyert e FIFA-s

Kalohet një nga pengesat që mbanin Florian Kamberin jashtë një aktivizimi të mundshëm me kuqezinjtë në dy ndeshjet e radhës të skuadrës në eliminatoret e Euro 2020. Pasi mori nëj “po” nga futbollisti, FSHF kishte nisur me shpejtësi procedurën për pajisjen me pasaportën shqiptare, si dhe aplikimin për ndërrimin e Federatës meqë ai më parë ka luajtur me ekipin e të rinjve të Zvicrës.

Çështja e pasaportës është zgjidhur sot, pasi është nënshkruar dekreti presidencial që i jepte shtetësinë dhe lojtari ka bërë procedurat për pajisjen e përshpejtuar me pasaportën shqiptare. Në këtë mënyrë, nga ky aspekt nuk d të ketë asnjë problem për të qenë në fushën e lojës që në ndeshjen e të enjtes.

Tanimë FSHF pret përgjigjen nga FIFA, pasi futbollisti ka luajtur në vitet 2015-2016 me përfaqësuesen U21 të Zvicrës e normalisht ka një procedurë burokratike dhe dokumentacione që duhen plotësuar e miratuar nga ndërkombëtarët në mënyrë që të bëhet ndërrimi i federatës. Edhe në këtë rast, në FSHF shpreson të ketë në kohë përgjigjen pozitive të FIFA-s, në mënyrë që trajneri Reja të përfshijë në planet e tij futbollistin që për ndeshjen ndaj Andorrës, aty ku do i vihet më shumë theks se zakonisht repartit të sulmit. /vipsport.al/