Kafe me Halilin e replika me Shehin, Daja ka për të gjithë para Tiranës: I kënaqur edhe me një pikë

Një takim i Ilir Dajës me presidentin e Tiranës, Refik Halili, ka bërë mjaft bujë në ditët e fundit me shumëkënd që mendon se trajneri është alternativa më e mundshme e bardhebluve për pankinën nëse edhe nën Ahmatajn skuadra nuk arrin të lëvizë në drejtimin e duhur. Por vetë tekniku i korçarëve e ka cilësuar në konferencën e sotme për shtyp këtë si një takim miqësor jashtë sferës profesionale.

“Kam pasur një takim me Halilin, takoj gjithë presidentët se është një vlerësim ndoshta për punën që kam bërë e mund të pi  kafe më e të gjithë presidentët e Superiores. Por nuk kam pasur takim për probleme sportive, por takim thjesht për kafe dhe jo vetëm me të, por edhe me të tjerë të Superiores” shpjegoi Daja duke qetësuar ambientin në Korçë.

Ndërkohë, ai nuk ngurron t’i përgjigjet ish-futbollistit të tij, Orges Shehit, i cili kishte sugjeruar që pozicioni më i mirë i Pëllumbit ishte në qendër të prapavijës e jo majtas. “Jam unë dhe stafi që vendosim se ku mundet Pëllumbi të japë më të mirën or ekipin. Mund të jetë më mirë në qendër të mbrojtjes, por me organikën që kemi, kemi mangësi në krahun e majtë dhe mund edhe të sakrifikojë për këtë lloj vendosje”, shpjegoi ai.

Trajneri nuk është i qetë para ndeshjes me Tiranën, pasi dëmtimet i kanë prishur punë me shumë futbollistë që janë kthyer në dispozicion vetëm në momentin e fundit. Ndaj ai nuk e fsheh që ndaj bardhebluve do të kënaqej edhe me një pikë për sa kohë ekipi shfaqte lojë të mirë në fushë.

“Katër lojtarë kanë qenë me stërvitje të diferencuar dhe vetëm prej dy ditësh kanë  filluar me grupin dhe nuk janë në rikuperim të plotë. Kështu akoma nuk kemi vendosur formacionin që do të startojë kundër Tiranës. Kemi praktikisht dy ditë kohë për të përgatitur ndeshjen me Tiranën. Nëse ekipi do të shprehet si në ndeshjen me Kukësin ku kemi luajtur mirë dhe nuk ishim të zemëruar që nuk morëm fitoren se një lojë e tillë të jep shpresë për vazhdimësinë, do të isha i kënaqur me një pikë. Por nuk na bën punë një pikë nëse nuk shprehemi mirë.

Ne kemi 3-4 lojtarë nga mosha 18-20 vjeç që mund të jenë pjesë e formacionit për të plotësuar mungesat që unë kam dhe do kemi dhimbje koke se Skënderbeu është mësuar gjithmonë që të jetë elitar në futbollin shqiptar në këtë dekadën e fundit. Në këtë moment që jemi, ndoshta nuk  kemi potencialin e duhur për të qenë aty. Lojtarët me eksperiencë duhet të japin kontributin maksimal që edhe këta lojtarët e rinj  që janë afruar dhe mund të jenë pjesë e formacionit ta kenë më të lehtë performancën e tyre në ndeshje”, deklaroi Daja. /vipsport.al/

more recommended stories