Ironia e Klop: Murinjo dukej i dëshpëruar jashtë futbollit, në fillim nuk e besova shkarkimin e Poçetinos

Kthehet Zhoze Murinjo në futbollin britanik dhe kthehet rivaliteti i tij me Juergen Klop. Të gjithë presin me padurim të shohin kapitullin e radhës në përplasjen mes dy trajnerëve, edhe pse për momentin, Jurgen Klop është mjaftuar me disa batuta rreth portugezit.

Në konferencën e sotme për shtyp ai e ka cilësuar si “të dëshpëruar” trajnerin i cili ishte kthyer në opinionist sportiv gjatë këtij viti larg fushave të lojës, ndërsa nuk ka ngurruar të praanojë se në fillim i ishte dukur e pabesueshme që Totenhem kishte shkarkuar Poçetinon.

“Mirë se u ktheve Zhoze. Është e këndshme që e kemi përsëri këtu. Dukej i dëshpëruar në periudhën kur nuk ishte pjesë  e kampionatit.

Por nga ana tjetër Mauricio nuk është më dhe kjo tregon sigurisht se sa shpejt ndryshojnë gjërat në ditët e sotme. Vetëm 5 muaj më parë takoheshim në finalen e Ligës së Kampioneve dhe tani është me pushime. Shpresoj që t’u gëzohet atyre. Ai ka bërë një punë brilante me Totenhem, askush nuk e vë në diskutim, të gjithë e dinë.

Kur ma treguan në fillim nuk e besova në atë moment. Por dy orë më vonë klubi kishte edhe zgjidhjen dhe kështu janë gjërat. Unë shpresoj që Maurico t’u gëzohet atyre ditëve, javëve, muajve, nuk e di sa kohe, që do të ketë pushime derisa të kthehet. Ndërsa Zhoze do të jetë shumë i motivuar dhe kjo do të jetë interesante gjithashtu”, pranoi Klop. /vipsport.al/