Intervista për “Vipsport”, kapiteni Rapo karikon Luftëtarin: Në Vlorë nuk mundemi, ja pse besoj te mbijetesa

Luan sezonin e tij të pestë në Gjirokastër dhe këtë edicion ka shënuar edhe 1 gol. Donald Rapo është familjarizuar në “qytetin e gurtë” dhe këtë sezon, bashkë edhe me Açkën, Kukajn, Demon apo Filin, Hysenin e Oshafin të mbetur nga sezoni i shkuar kanë bërë “bërthamën” e skuadrës bluzi.

Luftëtari këtë sezon është ndryshe nga vitet e shkuara, rrezikon shumë, ndonëse ka grumbulluar pikë në disa takime, edhe jashtë fushe. Skuadra bluzi këtë fundjavë luan një transfertë delikate, me Flamurtarin dhe 3 pikët, natyrisht që do t’i bënin mjaft punë bluzinjve duke hedhur një hap të sigurt drejt mbijetesës. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Donald Rapo flet për situatën në skuadrën dhe objektivin mbijetesë…

-Rapo, shtatë pikë në 12 javë, si është ecuria e Luftëtarit deri më tani?

Mendoj se nuk është mirë, sepse flasin pikët dhe renditja, por edhe diferencë e parikuperueshme nuk është sepse gara është e gjatë dhe për më tepër ne kemi parë që diferencat janë aty-aty.

-Këtë sezon, deri më tani vetëm 1 gol. Çfarë synimesh keni?

Po kam shënuar një gol dhe besoj se do të shënoje dhe më shumë, por nuk kam golat si ambicie kryesore. Dua që të mbijetojë me Luftëtarin. E parashikoj një sezon shumë të vështirë.

-Ndeshja e radhës në Vlorë, si ju duket?

Një ndeshje radhe, është shpejt që ne të themi se kjo ndeshje vendos mbijetesën tonë. Natyrisht që një rezultat pozitiv i yni na bën që të thellojmë diferencën e pikëve me Flamurtarin. Ne po punojmë shumë dhe e kemi vlerësuar kundërshtarin. Flamurtari është një emër i madh dhe ka traditë, por edhe kualitete. Kështu që ne nuk shkojmë që të mundemi në Vlorë.

-Je i vetmi lojtar që ke më shumë vite në Gjirokastër, a beson se kjo skuadër mbijeton?

Po besoj sepse kemi bërë lojëra të mira edhe ndaje ekipeve me pretendime, ashtu sikurse kemi treguar se dimë të marrim pikë edhe jashtë fushës. Në Gjirokastër punohet shumë mirë dhe këtë sezon ka shumë të rinj të talentuar. Edhe ne lojtarët me eksperiencë do të marrim përsipër. Unë besoj te mbijetesa.

E.Saliu/Vipsport.al/