Intervista për VIP Sport / Gjimshiti: Uroj që Reja të rinovojë, pyeteni atë për ndryshimet në mbrojtje

Mbrojtja kuqezi ka qenë në epiqendër të vëmendjes në javën e fundit, pasi në sfidat kundër Andorrës e Francës, gabimet e prapavijës ia kanë bërë kundërshtarëve të thjeshtë të dërgonin topin në portën e Berishës. Berat Gjimshiti ka qenë një prej të paprekshmëve të përfaqësueses kuqezi në këto eliminatore e një nga të besuarit e Rejas. Edhe ai ka pasur luhatje të vazhdueshme por sipas futbollisti që luan në Serinë A, të paktën ndeshja ndaj Francës ishte ndikuar nga goli i shpejtë.

Duke folur për VIP Sport, ai tregoi se shpresonte që Reja të vazhdonte në drejtim, por ndërkohë nuk ngurron të drejtojë nga italiani pyetjet se pse reparti i prapavijës ka ndryshuar aq shumë gjatë kësaj periudhe.

Berat, çfarë ndodhi në ndeshjen me Francën e sidomos në pjesën e parë?
Problemi ishte që e pësuam golin shumë herët. Aty fillon ndeshja e bëhet e vështirë se luan kundër kampionëve të  botës e nuk është e lehtë. Nuk dëshironim të pësonim golin kaq herët e  pastaj u bë e vështirë dhe e dinim që kundër Francës nuk do të ishte e lehtë.

Përse ndodhin gjithë këto ndryshime në prapavijë nga njëra ndeshje në tjetrin, një herë në qendër, pastaj djathta, luan Ismajli e pastaj Veseli…
Duhet të pyesni trajnerin se çfarë ndodh, çdo lojtar ka qejf të luajë dhe aty ku do ta vendosin jep maksimumin.

A nuk ka krijuar konfuzion kjo për ju lojtarët?
Nuk është konfuzion  se kemi luajtur edhe me Moldavinë me Dermakun në mes e unë majtas. Po, me Francën ka luajtur Mavraj, por janë ndryshime për dëmtime e ngarkesa. Për mua nuk ka konfuzion.

Ka më shumë se një vit kohë deri në eliminatoret e Botërorit, besoni se kjo përfaqësueses ka potencial për të arritur kualifikimin?
Besoj se kemi shumë gjëra për të përmirësuar. E dimë që kemi një ekip shumë të ri, shumë të rinj me shumë cilësi. Duhet të afrojmë ata sa më shpejt dhe ne më të vjetrit më me eksperiencë duhet t’u ndihmojmë atyre. Kjo skuadër ka potencial, pse jo, gjithçka është e mundshme. Besoj se do të përgatitemi mirë e të shohim pastaj.

Në fund, mendoni se duhet rinovuar kontrata e trajnerit Reja?
Unë uroj që të rinovojë se unë e njoh mirë trajnerin meqë herën e parë kur shkova në Itali ka qenë trajneri im. /vipsport.al/