Interesim nga dy skuadra italiane për Selmanin, menaxheri: Kemi pasur ofertë edhe nga Bundesliga

Gentian Selmani duket se po i ngjit shpejt shkallët e suksesit në karrierë. Në fakt, cilësitë e portierit 21-vjeçar janë të padiskutueshme teksa është evidentuar me paraqitjet te Laçi dhe Kombëtarja U21. Tashmë, Selmani është transferuar në ligën e dytë turke, ku është pjesë e skuadrës së Menemensporit.

Edhe me këtë ekip, Selmani ka pasur një nivel të lartë në paraqitjet e tij, duke e bindur stafin teknik falë aftësive. Ndërkohë, nga Italia bëhet e ditur se për gardianin kuqezi ka interesim nga dy ekipe. Bëhet fjalë për Torinon dhe Leçen. Në lidhje me këtë ka folur edhe menaxheri i Selmanit, Deniz Ujsal, i cili është shprehur se presidenti i skuadrës turke kërkon të ketë bisedime me klube italiane, ndërsa zbuloi se për portierin ka oferta nga Bundesliga si dhe Superliga turke.

“ Nuk kemi pasur kontakte zyrtare me Torinon dhe Leçen. Por, presidenti i Menemensporit na ka thënë se kërkon të flasë me disa klube italiane. Ndërkohë, kemi marrë oferta për Selmanin nga Superliga turke dhe Bundesliga”, u shpreh agjenti i shqiptarit.