Ibrahimoviç bën lëmsh klubet për merkaton e janarit, shet shtëpinë në Milano

Zlatan Ibrahimoviç ka mbyllur aventurën e tij në kampionatin amerikan me Los Anxhelosin, ndërkohë që pritet të rikthehet në Europë. Për shërbimet e tij, interesohen skuadra të shumta dhe së fundmi doli lajmi i bujshëm se ka arritur një akord me Milanin dhe në janar, pritej të bëhej pjesë e kuqezinjve.

Për të bërë më shumë lëmsh situatën për merkaton ka menduar vetë Ibrahimoviç. Mesa duket, rikthimi në Milano nuk ishte një opsion ose të paktën deri para pak ditësh. Këtë javë, ai ka shitur shtëpinë e tij në Milano për një shumë që arrin në 5 milionë euro dhe si duket, është një sinjal për të ardhmen e tij që mund të jetë larg Milanos.

Pak ditë më parë, në profilin e tij zyrtar në “Twitter”, Ibrahimoviç publikoi edhe një video në të cilën paralajmëronte një rikthim në Spanjë. “Përshëndetje Spanja! Unë po rikthehem”, ishte mesazhi i tij duke bërë në këtë mënyrë një lëmsh në merkato. /Erjon Allaraj-VipSport.al/