Ibra nuk ka dalë nga moda në Itali, një tjetër klub pas gjigandit suedez

Zllatan Ibrahimoviç ka vendosur të mbyllë aventurën me skuadrën e Los Anxhelos Galaksi dhe të rikthehet në Europë. Edhe pse në moshën 38-vjeçare, sulmuesi ndjen se mund të japë ende në skenën më të rëndësishme të futbollit dhe po kërkon një klub që të mund të përmbushë ambiciet e tij. Ndër më të interesuarat për Ibrën, janë klubet italiane.

Suedezi ka një histori të madhe në Serinë A, teksa ka qenë pjesë e tre skuadrave kryesore si Juventusi, Interi dhe më pas Milani. Kështu, në Italia Ibrahimoviç nuk harrohet dhe tashmë pretendente për shërbimet e tij janë Napoli, Milani dhe Bolonja. Por, së fundmi në skenë është shtuar edhe Roma.

Verdhekuqtë ëndërrojnë ta kenë sulmuesin pjesë të organikës dhe do të shohin mundësitë për ta përmbyllur me sukses operacionin. Megjithatë, e lehtë nuk do të jetë pasi Napoli është një konkurrent serioz në këtë pjesë.