Hazard tregon ofertat e PSG-së: Nuk do të luaj kurrë me ta, gjithmonë u kam thënë jo

Eden Hazard ka zbuluar se PSG e kërkon prej shumë kohësh, por ai nuk ka ndër mend që të luajë ndonjëherë me parisienët, pavarësisht shumave që i ofrojnë apo trofeve që mund të fitojë me ta. Në një intervistë të dhënë për “L’Equipe”, ylli i përfaqësueses belge ka zbuluar se në Francë do të kthehej vetëm për një skuadër.

“Nuk do të luaj kurrë me PSG. Ata më kanë kërkuar vazhdimisht. Nuk kisha një qëllim që të kthehesha në kampionatin francez apo në ndonjë klub tjetër atje që nuk është Lila. Gjithmonë u kam thënë jo atyre.

E kam gjithçka të qartë në mendjen time. Ai është një ekip i cili të jep mundësinë që të fitosh Ligën e Kampioneve, por nuk është mes prioriteteve të mia. Nëse do të kthehem ndonjëherë në kampionatin francez, do të jetë me Lilën”, shpjegoi ylli belg.

PSG kishte tentuar të blinte futbollistin në vitin 2012, para se ai të transferohej te Çelsi, ashtu si edhe në verën e kaluar, kur Hazard deklaroi se do të largohej nga londinezët. /vipsport.al/