Goditje e rëndë për Kosovën, humbet “Bishën” para sfidave vendimtare

Vedat Muriqi nuk ia del të riaftësohet në kohë për dy sfidat vendimtare të Kosovës ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë. Konfirmimi ka ardhur nga vetë Federata e Futbollit të Kosovës, e cila ka sqaruar se sulmuesi i cili po kalonte një formë të jashtëzakonshme me klubin e tij në këtë pjesë të parë të sezonit, nuk është riaftësuar nga problemi fizik me të cilin kishte ardhur në grumbullim.

“Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në dy ndeshjet e radhës kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen dhe kundër Anglisë, më 17 nëntor në Prishtinë. Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këto ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë. Për çdo ndryshim eventual në gjendjen e futbollistit do t’iu informojmë me kohë”, shkruhej në njoftimin e FFK-së.

Tashmë alternativat e tij mbeten Atdhe Nuhiu dhe Elbasan Rashani, gjithmonë nëse Shaland nuk bën improvizimi e radhës duke kaluar një nga mesfushorët ofensivë në repartin e avancuar. Trajneri është detyruar të improvizojë vazhdimisht për shkak të dëmtimeve të shumta në radhët e Kosovës e cila nuk ka ende në dispozicion dy lojtarë të rëndësishëm si Kryeziu e Zeneli. /vipsport.al/