Gjyqtarin Eldorjan Hamiti e ndjekin telashet në Europë, sherr masiv e 5 kartonë të kuq

Duket se Eldorjan Hamitin e ndjekin telashet ngado që drejton. Gjyqtari shqiptar që mban stemën e FIFA-s, sot ka drejtuar një ndeshje të çmendur në Sllovaki ku ekipi U21 i vendasve është ndeshur me atë të Gjeorgjisë, në një takim të vlefshëm për eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe.

Hamiti, i cili kishte asistentë Nertil Bregasin dhe Denis Agarajn, me gjyqtar të katërt Kreshnik Cjapin, është detyruar të nxjerrë shumë shpesh nga xhepi kartonin për faulle e tension në fushë, aq sa që në pjesën e parë, Gjeorgjia mbeti me 10 lojtarë. Vendasit përmbysën rezultatin nga 0-1 në 3-1, ndërsa më pas u vendos barazia numerike në fushë pasi edhe një prej sllovakëve u ndëshkua me të kuq.

Gjeorgjia shkurtoi diferencën në minutat e fundit, ndërsa kërkoi me ngulm barazimin në 8 minutat shtesë që u dhanë në këtë takim pasi u desh të shtyhej vërshëllima përfundimtare. Kjo për shkak se kishte një përplasje fizike masive mes dy pankinave, me trajnerin gjeorgjian i cili sfidoi për duel në dhomat e zhveshjeve stafin kundërshtar.

Hamiti u desh të tregonte përsëri kartonin dhe trajneri bashkë me një pjesëtar të stafit të tij u ndëshkuan me të kuq, ashtu siç ndodhi edhe me një pjesëtar të stafit të Sllovakisë. Në fund, me 5 kartonë të kuq e 9 të verdhë të treguar, Hamiti vërshëlleu për fundin e ndeshjes që i dha fitoren 3-2 skuadrës së Sllovakisë. /vipsport.al/