Gjykoi një nga ndeshjet që fundosën Skënderbeun dhe historinë që shkroi Hoxha, njihuni me estonezin e Kombëtares

Kombëtarja shqiptare do të luajë pas pak ditësh kundër Andorrës në “Elbasan Arena” dhe në prag të këtij takimi, UEFA ka përcaktuar edhe gjyqtarët që do të jenë të pranishëm në Elbasan për të ndarë drejtësinë. Kjo ndeshje i është besuar një katërsheje estoneze ku kryesor është Kristo Tohver i cili në fakt nuk është një emër i padëgjuar në Shqipëri.

Disa vite më parë, ai gjykonte ndeshjen e Flamurtarit në transfertë ndaj Sionit, aty ku vlonjatët fitonin me rezultatin 2-3. Ndërkohë, në vitin 2015, Tohver ishte gjyqtar në ndeshjen mes Kukësit dhe Mladost Podgoricës, ndeshje në të cilën malazezët fituan me rezultatin 0-1 në “Qemal Stafa”.

Natyrisht, një nga fitoret më historike të klubeve shqiptare ishte ajo e Skënderbeut kundër Sportingut të Lisbonës me rezultatin 3-0. Kjo ndeshje, më vonë u përfshi në dosjen e trukimit mes ndeshjeve të shumta në akuzat karshi Skënderbeut për trukim ndeshjesh. Në vitin 2016, Tohver ishte gjyqtar në ndeshjen mes Ferencvaroshit dhe Partizanit, ku të kuqtë barazuan 1-1 dhe më pas fituan me penallti ku shkëlqente Hoxha duke pritur dhe duke shënuar me “Panenka”.

Verën e shkuar, Tohver ka gjykuar Laçin në Ligën e Europës në një ndeshje kundër Moldes së Solskjaerit, aty ku skuadra norvegjeze fitoi 0-2, ndërkohë që ka qenë gjyqtar i katërt në ndeshjen mes Vikingurit dhe Trepçës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/