Franca në Shqipëri mes polemikave me Benzema, sulmuesi: Më lini të luaj për kombëtare tjetër

Përfaqësuesja e Francës nuk i është shmangur polemikave në udhëtimin e saj drejt Shqipërisë, e për këtë ka menduar një i “harruar” në radhët e saj, Karim Benzema. Ai nuk grumbullohet prej kohësh nga trajneri Deshamp, edhe pse sulmuesi po kalon një formë të shkëlqyer me Real Madrid në sezonin e fundit.

I pyetur rreth kësaj teme, presidenti i Federatës Franceze, Noel Le Graet, ka deklaruar se Benzema i përket të kaluar se nuk bën më pjesë në planet e trajnerit. “Karim Benzema është një lojtar shumë i mirë, nuk kam vënë asnjëherë në dyshim cilësitë e tij. Përkundrazi, ai ka treguar me Real Madrid se është një nga lojtarët më të mirë në qarkullim. Por aventura e tij me kombëtaren e Francës ka marrë fund”, tha Le Graet.

Sot, Benzema i është kundërpërgjigjur duke e sfiduar hapur. “Noel, mendoja se nuk po ndërhynit në vendimet e trajnerit. Dua që ta dish se unë, dhe vetëm unë mund ta mbyll karrierën time me kombëtaren. Nëse mendon se jam i mbaruar, më lejo të luaj për një nga vendet e tjera dhe ta shohim”, ishte sfida e sulmuesit me origjinë algjeriane.

Megjithatë, rregulloret e FIFA-s ia ndalojnë Benzema ta bëjë një gjë të tillë, meqë ka luajtur për shumë vite me francezët në ndeshje zyrtare. /vipsport.al/