FOTO + VIDEO / Mbape, Grizman & Co. zbarkojnë në stadiumin e ri. Mungon makthi i kuqezinjve

Pak minuta pasi nga stadiumi “Air Albania“ është larguar përfaqësuesja shqiptare e futbollit, në impiant ka mbërritur ekipi Francës, për të kryer seancën e zakonshme të fundit stërvitore për duelin e nesërm ndaj kuqezinjve.

Yjet e Francës kanë zbritur dhe pas një mbledhje të shkurtër në cepin e fushës, kanë filluar ushtrimet e zakonshme të nxemjes duke shkelur barin e gjelbër të impiantit. Futbollistët si Mbape, Grizman apo edhe Zhiru dukeshin në humor të mirë para kësaj seance stërvitore duke shkëmbyer batuta me njëri-tjetrin, derisa filloi stërvitja ku Kampionët Botës iu kthyer seriozitetit të zakonshëm.

Ndërkohë, për ndeshjen e nesërme, Francës do t’i mungojë një element i rëndësishëm. Bëhet fjalë për Kinglsei Koman, futbollistin e Bajern Mynih. Ai nuk ka udhëtuar drejt Shqipërisë pasi trajneri Deshamp i ka dhënë leje të kthehet në klubin e tij pas një dëmtimi të lehtë që ka pësuar ndaj Moldavisë. Koman ishte lojtari më i mirë në fushën e lojës në ndeshjen e parë, duke shënuar 2 gola ndaj kuqezinjve në Paris. /vipsport.al/