FOTO/ Publikohet topi “Uniforia” i Europianit, domethënie e veçantë e emrit

Kur ende nuk kanë përfunduar ndeshjet kualifikuese të Europianit të vitit të ardhshëm, topi me të cilin do të luhen këto ndeshje është përzgjedhur. Në rrjet ka qarkulluar së fundmi fotoja e topit që është përzgjedhur për ndeshjet e Europianit dhe ka qenë më pas vetë faqja zyrtare e Euro 2020 në “Twitter” ajo që ka konfirmuar topin.

Topi i bardhë me nuanca të zeza, të verdha, të kuqe, blu dhe jeshile do të jetë topi i ri i Europianit, teksa ka të stampuar edhe emrin e kompeticionit si edhe logon e “Adidas”, që njëkohësisht është firma që e ka krijuar këtë top.

Sfera është quajtur me emrin Uniforia që është një bashkim emrash. “Unity + Euphoria” janë dy emrat e përfshirë në emërtimin e topit, që do të thotë bashkim dhe eufori. Edhe një herë tjetër, fjala bashkim përdoret për të mbajtur sa më larg racizmin dhe për t’i mëshuar shprehjes se futbolli bashkon. /Erjon Allaraj-VipSport.al/