FOTO/ “Oferta” e çuditshme e stadiumit të ri të mbuluar, paguan biletën më të shtrenjtë që të lagesh nga shiu

Mbrëmjen e djeshme, stadiumi i ri Kombëtar hapi dyert për herë të parë, aty ku u zhvillua ndeshja mes Vllaznisë dhe Apolonisë për femra. Të dyja skuadrat, zhvilluan një takim mjaft të bukur dhe me raste dhe natyrisht kishin ankesat e tyre sa i përket tapetit duke qenë se ishte shumë i butë por FSHF sqaron se shkak për këtë ishin reshjet e shiut që nuk e kanë lejuar që të shkojë në kondicionin e duhur.

Megjithatë, gafa e madhe e stadiumit të ri, lidhet me tribunën kryesore aty ku edhe biletat janë më të shtrenjtat dhe si teori duhet të ketë një komoditet për tifozerinë por si praktikë ndodh krejt e kundërta. I gjithë stadiumi është i mbuluar dhe tifozët kanë mundësi që të qëndrojnë të pashqetësuar edhe në rast të një moti të keq me shi, pasi nuk do të lagen.

Por, ata që paguajnë biletat më të shtrenjta nuk përfitojnë nga kjo rehati. Mbulesa e tribunës kryesore, nuk mbërrin deri në fund të tribunës dhe për pasojë, disa rreshta nga tribunat qendrore janë të pambuluara dhe në rast shiu, atëherë çadrat do të jenë zgjidhja e vetme e tifozerisë. Mesa duket, FSHF nuk e kishte llogaritur se edhe në atë pjesë bie shi dhe tashmë, mbetet të shihet zgjidhja që do t’i bëjë kësaj pjese të stadiumit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/