FOTO/ Gjoba për telefonin dhe vonesat, zbulohen rregullat strikte nga Lampard te Çelsi

Me një merkato të bllokuar dhe me një shumicë të lojtarëve në moshë të re, por edhe pas një starti jo shumë pozitiv, vështirë se mund të mendohej se pas javës së 12 në Premier League, Çelsi do të ishte në vendin e tretë në kampionat. Ekipi i drejtuar nga Frenk Lampard ka surprizuar jo pak dhe tashmë ka koleksionuar katër fitore radhazi. Por, kjo nuk është thjesht rastësi. Pasi përveç cilësive dhe aftësive të Frenk Lamprd si trajner, kanë të bëjnë edhe rregullat strikte që ka vendosur ish-mesfushori.

Lampard kërkon disiplinë dhe vetëm me anë të kësaj forme mund të mbajë lojtarët të përqendruar për të dhënë më të mirën për klubin. Kështu, mediat britanike kanë zbuluar edhe listën e gjobave për secilën shkelje nga lojtarët. Më e rënda është gjoba nëse të bie zilja e telefonit përgjatë vaktit me skuadrën apo mbledhjes. Kështu, nëse një futbollisti i bie zilja e telefonit në njërën prej këtyre rasteve, atëherë gjobitet me 20.000 paund.

Po ashtu, një tjetër gjobë është edhe ajo për vonesat në mbledhjen e skuadrës. Kjo shkelje dënohet me 500 paund në minutë, kështu bën mirë të mos vonohesh shumë. Një tjetër gjobë e rëndë është ajo prej 10.000 paund, në rast se nuk njofton për dëmtime apo probleme shëndetësore para ditës së ndeshjes, apo një orë e gjysmë para stërvitjes. Rregulla strikte, por që te Çelsi duken se kanë dhënë rezultatet e tyre, duke marrë parasysh rezultatet e deritanishme. /Egi Çabeli-VipSport.al/