Fjalët e Kontes zgjojnë Interin, zikaltërit nisin ofensivën për një kampion bote

Trajneri Antonio Konte u shfaq mjaft i zhgënjyer për disfatën në Ligën e Kampionëve përballë Dortmund. Por po ashtu, u shfaq edhe shumë i drejtpërdrejt me shoqërinë zikaltër. Konte nuk është i kënaqur nga merkato pasi kërkonte një organikë më të zgjeruar me më shumë alternativa, por edhe me futbollistë që kanë eksperiencë në kompeticione europiane, siç është Champions.

Dhe, ‘dushi i ftohtë’ nga Konte në drejtim të shoqërisë, duket se ka dhënë frytet e veta. Zikaltërit kanë nisur ofensivën për t’i siguruar trajnerit të tyre një përforcim për çdo repart. Në sulm është menduar për Olivier Zhirud. Francez i shpallur kampion bote në 2018, ka eksperiencën mbi shpinë për të qenë një zëvendësues i denjë për Lukakun, ndërsa për më tepër është edhe në skadencë kontrate me Çelsin. Për mesfushën sytë janë mbi talentin suedez që aktivizohet me Parmën por që është në pronësinë e Atalantës, Dejan Kulusevski.

19-vjeçari ka fituar vendin e titullarit me emilianët dhe ka treguar se ka potencialin për t’u bërë një nga më të mirët në rolin e tij. Sakaq, në mbrojtje alternativa më e mirë është ajo e Darmian, sërish nga Parma. Një njohje e vjetër e Interit, pasi nuk është hera e parë që zikaltërit interesohen për të. Megjithatë, surpriza e vërtetë mund të jetë Florenci, i cili nuk po kalon ditët më të lumtura nën drejtimin e Fonsekës dhe në janar mund të ideohet një shkëmbim me Vesinon.

/Egi Çabeli-VipSport.al/