Fetollari debuton me Besën: Devolli do të jetë surprizë në kampionatin e së Parës

Largimi i Stavri Nicës në mënyrë të beftë nga Devolli, duket sikur solli një atmosferë pesimiste në radhët e skuadrës së futbollit që u rikthye në fund të edicionit të shkuar në Kategorinë e Parë. Por, drejtuesit ia besuan ekipin pogradecarit Festim Fetollari, që vjen në Bilisht me një eksperiencë tre vjeçare pas drejtimit të ekipit të Pogradecit në Kategorinë e Parë.

Besa

Këtë fundjavë, skuadra e tij pret Besën dhe Fetollari shpreson që të bëj një debutim me fitore. “Jam i kënaqur që jam trajner te Devolli, një ekip me ambicie dhe të gjithë në klub janë bashkëpunues. Dua që ekipi të jetë në pesë vendet e para. Pastaj duke parë e duke bërë për më shumë, kjo do të varet edhe nga skuadra, merkato, mungesat”.

Objektivat

Fetollari flet edhe për synimet që ai ka bashkë me skuadrën për këtë sezon: “Do të bëjmë më të mirën në ndeshjen e radhës dhe jo vetëm. Ekipet janë të forta në grupin tonë, por edhe ne nuk jemi mbrapa si në lojtarë ashtu edhe në cilësi dhe eksperiencë. Në çdo ndeshje do të luajmë për 3 pikët. Pastaj në futboll ndikon fati dhe të tjerë faktor. Edhe nëse mundemi do t’u japim dorën kundërshtarëve nëse ndodh me meritë. Frikë nuk kemi asnjë ekip sepse e kam ndjekur këtë garë dhe ekipet kanë shumë pak diferenca”, – tha Festim Fetollari, që më parë ka drejtuar moshat dhe skuadrën e parë të Pogradecit dhe pak ditë më parë u zyrtarizua si trajner në Devoll në vend të Stavri Nicës.

E.Saliu/Vipsport.al/