Ekskluzive/ “Kryqëzohet” për javën e fundit në Superiore, por Hamiti merr sërish besim dhe ndeshje në Europë

Pak ditë më parë, Laçi arriti të merrte një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi kundër Kukësit falë një penalltie shumë të dyshimtë e cila ngjalli edhe polemika. Gjyqtar kryesor në atë takim ishte Eldorian Hamiti teksa u kritikua shumë për vendimet e dhëna në atë ndeshje.

Sakaq, Hamitit i është besuar një tjetër ndeshje në Europë. Ai do të jetë gjyqtar kryesor në ndeshjen e të rinjve mes Sllovakisë U21 dhe Gjeorgjisë U21 që do të luhet në datën 18 nëntor.

Hamiti do të ndihmohet në këtë ndeshje nga Nertil Bregasi dhe Denis Agaraj teksa gjyqtar i katërt në këtë ndeshje do të jetë Kreshnik Cjapi. Ky është një tjetër vlerësim që i jepet gjyqtarëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare, ku edhe pas ndeshjeve janë vlerësuar pozitivisht për vendimet e marra nëpër ndeshje. /Erjon Allaraj-VipSport.al/