Ekipet e moshave rikthehen sërish në fushë, duhet të lënë pas turpërimet e fundit

Kur të gjithë prisnin që ekipet e moshave të Kombëtares të bënin paraqitje dinjitoze në Europë, ndodhi krejt e kundërta dhe jo vetëm që u mundën por pësuan edhe goleada. Më shumë se për U17 që kishte edhe një kundërshtar shumë të fortë, zhgënjimi më i madh erdhi nga U19 duke parë edhe kontingjentin që ky ekip kombëtar ka.

Skuadra e Dedes u poshtërua me rezultatin 5-1 nga skuadra e Greqisë, teksa sot rikthehet sërish në fushë për të synuar që të lërë pas atë turp në Belgjikë. Kuqezinjtë do të përballen me skuadrën ndoshta më të fortë të grupit, ku do të sfidojë Belgjikën që është edhe vendi pritës i këtij grupi. Ndeshjen e parë, Belgjika ka arritur ta fitojë me rezultatin 3-0 kundër Islandës.

Sakaq, Shqipëria U17 do të zhvillojë një tjetër takim në Portugali. Pas humbjes kundër luzitanëve, kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri sot do të përballen me ekipin e Ukrainës. Sërish për Shqipërinë është një kundërshtar shumë i fortë dhe mbetet të shihet reagimi që do të bëjnë kuqezinjtë pas humbjes 4-0 kundër Portugalisë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

19:30 Belgjikë U19 – Shqipëri U19

16:00 Ukrainë U17 – Shqipëri U17