Duro: Shkurtaj na ka krijuar probleme, Bylisi nuk është rastësisht në atë pozicion

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, uron që me kthimin nga dëmtimet të disa lojtarëve kryesorë, loja e skuadrës së tij të ndryshojë dhe t’u kthehet fitoreve bindëse, duke filluar që nga takimi me Bylisin. Por në fjalët e tij për RTSH, trajneri nuk fsheh vlerësimin për ballshiotët, të cilët sipas tij kanë një skuadër shumë cilësore.

“Kjo është një ndeshje e vështirë për pozicionin dhe gjendjen që kalon skuadra e Bylis. Ne jemi të përgatitur dhe është e rëndësishme që në rifillimin e kampionatit, skuadra është rikuperuar plotësisht. Nuk kemi mungesa e kontingjenti është i plotë, shpresojmë që skuadra të bëjë paraqitje të mirë e të marrë maksimumin.

Nuk ka sekret në kampionatin shqiptar, siç i shohim ne kundërshtarët, na shohin edhe ata. Në vija të përgjithshme është skuadër jashtëzakonisht e mirë, jo më kot është në atë pozicion, ka lojtarë të mirë në çdo repart, ka lojtarë jashtëzakonisht të talentuar. Ne sigurisht e kemi analizuar dhe kemi marrë masat që këtë ndeshje të japim maksimumin e dalim me sukses”, u shpreh Duro.

Shpresat më të mëdha janë padyshim te kthimi i Vasil Shkurtajt, i cili është njeriu-gol i skuadrës verilindore. “Mund të them që prej tre ndeshjesh mungon Shkurtaj që ka qenë shënuesi më i mirë dhe kemi vuajtur e kemi shënuar vetëm 1 gol. Kjo tregon forcën reale të këtij futbollisti.  Por janë edhe të tjerë që kthehen nga dëmtimi si Abazaj, Musolli e Limaj ndaj skuadra është e plotë. Por kërkoj më shumë që skuadra të jetë me efektive dhe agresive në repartin e sulmit se në mbrojtje skuadra është mirë dhe jemi ajo që kemi pësuar më pak gola. Por mungesa e një prej sulmuesve kryesorë që është Shkurtaj, na ka krijuar probleme në ndeshjet e fundit”, pranoi Duro. /vipsport.al/