Duka: Nuk ka vit zero për klubet, një javë pas derbit njëri nuk mbush as gjysmën e stadiumit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mendon se nuk ka gabuar asgjë sa i përket zgjedhjeve që ka bërë, edhe pse nga shumëkush gjykohet se mbajtja në punë e Kristian Panuçit, mbajti Shqipërinë jashtë Euro 2020. Në “Pressing”, ai tha se do t’i kthehej përsëri të njëjtave hapa që kishte bërë.

“Edicioni nuk matet me pikë. Ky edicion kishte të mirat dhe të këqijat, kishte momente të përqendrimit e angazhimit maksimal e jo të mira. Dy ndeshjet e fundit ishin mungesë përqendrimi i skuadrës, jo vlerësim i duhur për kundërshtarin modest si Andorra. Në ndeshjen e fundit në pjesën e parë ekipi nuk ishte agresiv, ishte disi i plogësht a i papërqendruar, stadiumi i ri, shumë gjëra. Si i ngritëm në qiell, pas ndeshjeve në Turqi e Moldavi, e i ngritëm lart. Edicioni në këto eliminatore i ka pasur të gjitha.

Mos duhej shkarkuar Panuçi? Nuk kam peng për asgjë, po thuajse çdo gjë do ta bëja siç e kam bërë, gabimet që rezultojnë pasi janë marre vendimet janë normale. Nëse do i parashikoja do isha Zoti, në çdo vendim gabimet ndodhin. Humbja me Turqinë mund të ndodhte me Rejan. Nuk mund të ngarkojmë peshën e një rezultati te një individ, futbolli është kolektiv dhe të mirën e të keqen e kanë të gjithë bashkë.

Nuk e kam takuar as sot Rejën, por nuk ka biseduar sot me trajnerin. Por për mënyrën se si ka drejtuar, nëse bëjmë bilancin e kohës që ka punuar në drejtimin e ekipit, peshorja shkon pozitivisht. Nuk ngurroj të them se në paraqitjet e fundit ka përgjegjësi edhe trajneri i cili me eksperiencën që ka nuk duhej të na lejonte të nënvlerësonim Andorrën, nuk ishte dëshirë e tij, por duhej të gjente mënyrën për të motivuar ekipin. Kjo nuk e çon peshoren në anën negative, por do të ulen për të diskutuar të ardhmen me të. Në momente emocionale je i lëkundur, kur bie bilbili pas një rezultati negativ shkarkon jo vetëm Rejan, por këdo që ke përpara. Por tani është marrëdhënie dypalëshe se nuk ka më kontratë, tani duhet të ulemi të diskutojmë për një kontratë të re. Peshorja jonë është pozitive, do t’i propozojmë për të vazhduar”, tha Duka.

Duke u ndalur te futbolli shqiptar dhe problemet e tij, Duka sqaroi se nuk do të kishte vit zero për futbollin shqiptar për të rregulluar financat por bëheshin tolerime.

“Ka klube që kanë shumë probleme, jo vetëm Flamurtari, ka edhe klube të vogla që financojnë në mënyrë të padrejtë. Nuk ka tolerime, manuali i licencimit respektohet, por kriteret e licencimit ndryshojnë në mënyrë të atillë që të jenë të kapërcyeshme, në bilance nuk ka toleranca.

Ka raste ku stadiumet janë plot, në derbi është plot. Por ka ka raste që i njëjti klub që luan pas një jave dhe që nuk është derbi, stadiumi nuk është as në 50% të kapacitetit. Ka lidhje me më shumë gjëra, jo vetëm me nivelin e lojës.

Edhe dyshimet për garën mund të ndikojnë, në një shoqëri që nuk besojmë asgjë, sigurisht na bën të pabesueshëm. Edhe në teatër themi a mos është i manipuluar e nuk shkojmë”, theksoi Duka. /vipsport.al/