Duka negociata me Rejan nga Zvicra, trajnerit i kërkohet… të refuzojë ofertën

Me përjashtim të ndonjë ndryshimi të bujshëm, bëhet gjithnjë e më e qartë që FSHF nuk do më Edi Rejan në drejtimin e skuadrës. Dy rezultatet e fundit duket se kanë ndryshuar plotësisht opinionin mbi teknikun italian dhe veprimet e drejtuesve të FSHF-së e bëjnë edhe më të qartë tendencën që ka për të mos pasur në stol teknikun në vitin 2020.

Një natë më parë presidenti i FSHF-së theksoi se do të ulej sot në tavolinën e bisedimeve me trajnerin për të diskutuar gjerësisht për të ardhmen me një ofertë konkrete. Pro ndërkohë rezulton sipas vetë FSHF-së se ai sot ka udhëtuar drejt Nionit në Zvicër ku ka pasur një takim në një nga Komisionet në të cilat merr pjesë, atë të Sigurisë dhe Stadiumeve. Pra ky takim i shtyrë me Rejan ose ka qenë shumë i shkurtër, ose nuk është zhvilluar aspak dhe presidenti i FSHF-së i ka dërguar trajnerit një prej vartësve të tij për të bërë ofertën. Sigurisht, aspak sjellje serioze me një teknik me të cilin ti pretendon të arrish Botërorin.

Njëkohësisht, edhe kushti i vendosur ndaj Rejas lë të mendohet se në FSHF presin vetëm një refuzim nga ai. Reja e ka bërë të qartë që në fillim se ka nënshkruar kudo kontrata afatshkurtra për të mos qenë as ai e as punëdhënësi peng i tyre. Ndaj trajneri priste 2 vite kontratë, ndërsa FSHF i ofroi 74-vjeçarit një kontratë 4-vjeçare të cilën Reja sigurisht nuk ka ndër mend ta pranojë këtë marrëveshje e cila është unike pasi nuk i është ofruar asnjë trajneri më parë në historinë e përfaqësueses shqiptare.

Kësisoj, FSHF kërkon të dalë e larë me tifozerinë nëse Reja largohet, duke ia faturuar këtij të fundit lamtumirën, edhe pse mediat italiane të cilat kanë intervistuar presidentin Duka gjatë paradites së djeshme kanë dalë sot me lajmin se “divorci” ishte i pashmangshëm mes palëve e kanë treguar qartë se kreu i institucionit të futbollit në vendin tonë nuk ka në plan të vazhdojë me trajnerin. /vipsport.al/