Duka: Fenomeni i trukimeve ka ekzistuar dhe Skënderbeu është fajtor, u gëzuan organizatorët

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për herë të parë ka cilësuar publikisht skuadrën e Skënderbeut fajtore për trukimin e ndeshjeve. Nëse më parë kreu i FSHF-së e linte gjithmonë përgjigjen evazive, i ftuar në emisionin “Java” në RTSH, ai ka deklaruar se skuadra korçare që u dënua 10 vite nga UEFA, është shpallur fajtore me të drejtë edhe pse e cilëson dënimin të ekzagjeruar.

“Ai është vendim dhe e mira e vendimeve të tilla është të mos diskutohen. Ka edhe një shkallë gjykimi në Gjykatën Federale. E kam diskutuar edhe më parë, fenomeni ka ekzistuar dhe Skënderbeu është fajtor. Por a nuk ka asnjë tjetër në Europë? E keqja këtu është se janë shqiptarët kundër shqiptarëve. Shqiptarët në përgjithësi e kanë vuajtur dënimin e Skënderbeut se e kanë ndjekur në ecurinë në Europë, por pjesa e organizatorëve patjetër që u gëzua.

Trukimi i ndeshjeve është fenomeni më i keq që e ka bota sot në futboll, ekziston e nuk mund ta fshehim. Në Shqipëri ka qenë disi e theksuar deri para 5-6 vitesh, por të paktën këtë vit, informacionet që kemi ne nga ndeshjet e dyshimta që i kemi nga Betradar nëpërmjet UEFA-s, në këtë kampionat kemi zero informacione”, tha Duka. /vipsport.al/