Dështimi i “brezit të artë” të U19, asnjëherë më keq në dekadën e fundit

Përfaqësuesja shqiptare U19 ka mbyllur sot me humbjen e tretë radhazi pjesëmarrjen e saj në kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe. Ekipi i drejtuar nga Nevil Dede shihej si “brezi i artë” i futbollit shqiptar, meqë kishte në radhët e tij emra që kanë treguar vlerat edhe me U21 si Ndrecka, Broja e Bullari, pa harruar këtu emra të Superiores si Rapaj, Muçi e Beqja, apo edhe talente shumë premtues si Dobra e Çuni për të përmendur disa.

Por rezultatet kanë lënë shumë për të dëshiruar. Humbja 5-1 ndaj Greqisë u shoqërua me atë 2-1 ndaj Belgjikës e u mbyll më pas me disfatën me përmbysje 4-2 përballë Islandës. Rezultate katastrofike për një ekip që shkonte drejt këtij turneu me objektivin për t’u kualifikuar.

Jo vetëm që nuk e bëri këtë, por skuadra e Dedes shënoi një rekord të padëshiruar në dekadën e fundit. Në asnjë prej 10 edicioneve të mëparshme, skuadra nuk kishte pësuar 11 gola në tre ndeshje, siç ndodhi këtë radhë. Në fakt, rezulton se ekipi i Dedes ka pësuar vetëm 3 gola më pak se skuadrat e drejtuara nga paraardhësi i tij, Erjon Bogdani, në dy edicionet e mëparshme së bashku (14 gola në 6 takime) që u cilësuan dështim absolut. /vipsport.al/