Dëmtimi i Muriqit rezulton më i rëndë seç dukej, “Bisha” mbyll vitin dhe rrezikon hapin e madh

Vedat Muriqi ishte padyshim mungesa e madhe e Kosovës në ndeshjet e fundit kualifikuese ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë. Mungesa e tij u vu re edhe në fushë me Kosovën që kishte një forcë më pak në repartin ofensiv dhe thuajse të pamundur të rrezikonte portën kundërshtare.

Por, si duket dëmtimi i Muriqit ka qenë më i rëndë seç mendohej fillimisht. Mediat raportonin se përveç dy ndeshjeve të Kosovës, ai do të mungonte edhe këtë javë në kampionat por në fakt nuk ka ndodhur ashtu. Muriqi do të mungojë për gjashtë javë për shkak të dëmtimit dhe pritet që i gatshëm dhe në gjendjen më të mirë të jetë vetëm në janar.

Në këtë mënyrë, Muriqi rrezikon seriozisht edhe merkaton e janarit. Shumë klube janë të interesuara për shërbimet e tij, megjithatë ky dëmtim e ndalon të tregojë më të mirën në prag të merkatos dhe nëse nuk arrin të bindë klubet këto kohë, transferimi i tij mund të kryhet vetëm në verë, gjithmonë nëse Muriqi do të vazhdojë të shënojë dhe të jetë protagonist. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories