Dëmtimet kthehen në makth te Gjermania, Lëv i mungon gjysma e formacionit

Joakim Lëv nuk po arrin që të punojë me atë që është formacioni i tij ideal me të cilin do të zbresë në fushën e lojës në Euro 2020. Trajneri i Gjermanisë ka parë gjatë gjithë sezonit se si plani i tij për të ndërtuar këtë skuadër të re është shkatërruar nga dëmtimet e njëpasnjëshme dhe aktualisht për ndeshjet ndaj Bjellorusisë dhe Irlandës së Veriut, do të ketë në dispozicion vetëm 5 nga ato që do të ishin 11 titullarët në Europian.

Niklas Syle (24), Antonio Rudiger (26), Marcel Halstenberg (28), Marko Rojs (30), Kai Havertz (20) dhe Leroi Sane (23), të gjithë të planifikuar si titullarë, janë të dëmtuar dhe do të mungojnë edhe në këtë grumbullim që është shumë i rëndësishëm për Gjermaninë pasi do të përcaktojë jo vetëm kualifikimin e mëtejshëm, por edhe vendin në grup që përcakton vazon në shortin e aktivitetit.

“Do të doja që gjërat të ishin ndryshe në zhvillimin e këtij ekipi të ri. Sidomos kur bën një revolucion, të nevojitet një lloj vazhdimësie. Kjo nuk ishte e mundur për shkak të shumë dëmtimeve, kishte lojtarë që thuajse nuk arrita t’i përfshij”, tha Lëv para gazetarëve. Ndërkohë, në Gjermani ka filluar të qarkullojë githnjë e më shumë ideja se trajneri duhet të bëjë një prapakthehu sa u përket disa prej “veteranëve” që largoi pak kohë më parë nga ekipi. Kjo, pasi Humels e Myler po shfaqin një formë të mirë me skuadrat përkatëse e mund të japin përsëri kontributin e tyre. /vipsport.al/