Çeki-Kosovë ka një rëndësi të veçantë për UEFA-n, i cakton një nga gjyqtarët më të njohur

Kosova do të tentojë të marrë maksimumin pas pak ditësh kundër Republikës Çeke, aty ku luan në transfertë dhe synon fitoren për të vazhduar rrugëtimin për në Europian. Nga ana tjetër, çekët duan hakmarrje për humbjen në Prishtinë dhe një fitore, do t’i kualifikonte në Europian.

Duke parë rëndësinë që ka kjo ndeshje, UEFA ka vendosur që të caktojë një nga gjyqtarët më të njohur për ta gjykuar. Xhanluka Roki që drejton ndeshjet më të rëndësishme në Serinë A italiane, do të ndajë drejtësinë edhe në ndeshjen mes Republikës Çeke dhe Kosovës.

Roki do të ndihmohet nga dyshja italiane, Filipo Meli, Çiro Karbone, teksa gjyqtar i katërt do të jetë Masimiliano Irrati. Delegati i UEFA-s në këtë takim do të jetë Anton Fagan nga Skocia, teksa vëzhgues është Mehmet Murat Ilgaz nga Turqia. /Erjon Allaraj-VipSport.al/