Bajerni me trajner deri për Krishtlindje, Rumenige: Mundësisht edhe më vonë!

Hansi Flik do të jetë trajneri i Bajern Mynih të paktën deri për Krishtlindje. Ky është vendimi që ka marrë klubi bavarez i cili e konfirmoi sot zyrtarisht nëpërmjet Karl Hainz Rumenige. Në Asamblenë e sotme të klubit, shefi ekzekutiv tregoi vendimin që kishte marrë bordi drejtues.

“Rifillimi i skuadrës nën drejtimin e Hansi Flik ka qenë spekatakolar, skuadra tregoi menjëherë reagim. Do të ishte e këndshme që të fitonim të 6 ndeshjet në fazën në grupe të Champions në këtë sezon i dashur Hansi”, ishin fjalët e tij, duke i vendosur objektivin për t’u arritur trajnerit i cili ishte i pranishëm në sallë.

“Unë do të dëshiroja të falënderoja Hansi Flik. Unë rashë dakord dje me Hasan Salihamixhiç. Fraza deri në njoftim të dytë do të thotë deri për Krishtlindje! Dhe mundësisht edhe më vonë! Hansi, ne kemi besim te ti”, ishin fjalët e Rumeniges që “emëruan” trajnerin i cili kishte qenë ndihmësi i Kovaç deri në shkarkimin e këtij të fundit. /vipsport.al/