Atë që nuk bën Xhaka me shokë e bën Çikalleshi, sulmuesi bashkohet në grumbullim i dëmtuar

Taulant Xhaka është kthyer në një çështje në ekipin Kombëtar, duke qenë se ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi. Mesfushori pretendon që ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit në kampionat, teksa Federata ka menduar që të grumbullojë Ergys Kaçen në vendin e tij por si duket, edhe ky i fundit nuk e ka pranuar ftesën.

Në këto kushte, Kombëtarja e sheh veten me një futbollist më pak për ndeshjen ndaj Andorrës dhe mundësitë në mesfushë pakësohen për ekipin Kombëtar. Një tjetër futbollist që ka mbetur jashtë për këto ndeshje, është sulmuesi Sokol Çikalleshi i cili është dëmtuar në ndeshjen e fundit në kampionat dhe nuk mund të ndihmojë ekipin Kombëtar.

Megjithatë, sulmuesi duket se nuk ka në plan të lërë skuadrën të vetme në prag të këtyre takimeve. Sulmuesi kavajas ka qëndruar në grumbullim me ekipin Kombëtar. Ai është pranë skuadrës dhe do të qëndrojë me ekipin në këto ditë kur skuadra ka më shumë nevojë se kurrë për të. /Erjon Allaraj-VipSport.al/