Arsen Venger telefonon Bajernin, por klubi i thotë “jo” për pankinën

Bajern Mynih prish ëndrrën e Arsen Venger. Trajneri francez ishte aq shumë i interesuar për të marrë drejtimin e bavarezëve sa ka bërë vetë telefonatë për t’u provuar për postin e lënë bosh nga Kovaç, por duke marrë një “jo” si përgjigje.

“BILD” ka treguar se të mërkurën trajneri kishte folur direkt me Karl Hainz Rumenige duke i bërë të qartë se i pëlqente që të merrej në konsideratë për këtë post të rëndësishëm. Por klubi gjerman e ka refuzuar si mundësi dhe nuk e sheh si një opsion as për të ardhmen. Gjithçka është konfirmuar nga bavarezët për të përditshmen gjermane.

“Arsen Venger i telefonoi Karl Hainz Rumenige të mërkurën pasdite dhe praktikisht shprehu interesin e tij për postin e trajnerit te Bajern. Bajern e vlerëson shumë Arsen Venger për punën e tij te Arsenali, por ai nuk është një opsion për të qenë trajneri i Bajern Mynih”, theksuan burime zyrtare të klubit. Ndaj kërkimi i bavarezëve për trajnerin e ri vazhdon, me Hansi Flik i cili për momentin mbetet në detyrë, derisa të caktohet emri i ri në stolin e skuadrës. /vipsport.al/