Anglezët të sigurt, sheikët ofrojnë shifra rekord për të blerë Napolin mes kaosit

Napoli është në kaos të plotë, mes mungesës së rezultateve, kontestimeve të tifozëve, rebelimit të lojtarëve e presidentit që kërcënon me gjoba e me shitje të tyre. Në mes të kësaj situatë absurde, duket se ka një zgjidhje që vjen nga jashtë, më saktësisht nga sheikët e Katarit.

Sipas “Daily Mail”, familja Al-Thani e Katarit është gati të shpenzojë shifra rekord për Italinë për të blerë klubin napolitan, pavarësisht situatës që po kalon ajo. Familja është gati të paguajë 560 milionë euro për të siguruar kuotat kontrolluese të klubit nga Aurelio De Laurentis, i cili është presidenti i napolitanëve, por që në 15 vite drejtim është bërë shpesh polemizues edhe me tifozët e vet të cilët tanimë nuk e shohin me sy të mirë, ndonëse në përplasjen me futbollistët u rreshtuan përkrah tij.

Për momentin nuk ka një përgjigje nga De Laurentis rreth kësaj oferte që nuk ishte parë ndonjëherë më parë në futbollin italian për një klub, duke kaluar edhe ato të skuadrave milaneze, sidomos sepse bëhet fjalë për kuotën kontrolluese që do të thotë jo të gjithë aksionet. Gjatë javës pritet të bëhet oferta formale dhe atëherë De Laurentis do të duhet të marrë vendimin e tij nëse do të heqë dorë nga skuadra dhe kaosi që po kalon, apo jo. /vipsport.al/