14 vjet pa shënuar qoftë një gol, skuadra e Memushajt kërkon të ruajë vazhdimësinë

Peskara është padyshim një nga skuadrat pretendente për të prerë një biletë për në Serinë A sezonin e ardhshëm. Këtë javë, skuadra në të cilën aktivizohen Ledian Memushaj dhe Elhan Kastrati, kanë një përballje delikate kundër Kremonezes, megjithatë historia e thotë se ndeshja pritet të jetë e lehtë për ta, të paktën në letër.

Në të kaluarën, dy skuadrat janë përballur në total 12 herë aty ku Peskara numëron 8 fitore dhe vetëm 1 humbje teksa 3 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim. Në sy bie fakti se skuadra e Kremoneses ka një thatësi goli në portën e Peskarës që javët e fundit është mbrojtur pikërisht nga Kastrati.

Në 14 vitet e fundit, Kremonese nuk ka shënuar asnjë gol në fushën e Peskarës dhe të fundit e ka realizuar në shtatorin e vitit 2005. Në total, Kremonese ka shënuar vetëm 5 gola kundrejt 14 të Peskarës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/