Zidan, Ramos dhe Murinjo. Konferencë e zjarrtë për shtyp te Real Madrid para Champions

Te Real Madrid nuk po përjetohet një situatë e qetë dhe kjo kuptohet qartësisht nga atmosfera në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes së Real Madrid me Gallatasarajin në Ligën e Kampioneve. Me humbjen e parë në kampionat ka rënë edhe alibia e Zidan se po punohet paralelisht për La Liga dhe si rrjedhojë, në media kanë filluar të qarkullojë emri ai tij që mund të jetë pasuesi i francezit, Zhoze Murinjo.

Një emër që është përmendur edhe në konferencën për shtyp të ditës së sotme, kur para mediave u shfaq kapiteni Serxhio Ramos. “Mjafton që të dalin e të thonë që trajneri është i konfirmuar deri në fund të sezonit dhe mbyllet çdo spekulim” ishte sinjali i Ramos për Florentino Perez, gjë që ky i fundit nuk ka ndër mend ta bëjë me sa duket. “Në momentin kur gjykohen personat, përdoren parametra shumë të ndryshëm”, vijoi mbrojtësi dhe i pyetur nëse i referohej Murinjos, ai insistoi në mendimin e tij.

“Zizu meriton respekt për atë që ka bërë me Realin. E di që të flitet për trajnerë të tjerë krijon lajm, por lodhesh duke qëndruar këtu e duke dëgjuar të njëjtët emra. E keni kuptuar shumë mirë se çfarë dua të them për masën vlerësuese, në futboll nuk është e njëjtë për të gjithë. Unë përdor ironinë, por mos vini në gojën time emra që nuk kam thënë. Të gjithë në dhomat e zhveshjeve janë në krah të Zidan deri në vdekje”, ishin fjalët e kapitenit.

Vetë ZIdan, u përgjigj i qetë kur e pyetën për të ardhmen. “Mos më pyet mua, unë dua të qëndroj këtu gjithë jetën, duhet të pyesësh dikë tjetër”, i tha ai gazetarit. Ashtu si Ramos, edhe ai i referohej Perez i cili ka qëndruar në heshtje këto javë. Megjithatë, më parë francezi kishte qartësuar se ishte i ndërgjegjshëm për mënyrën se si përjetohej gjithçka te Reali. “Qartësisht më bezdis të dëgjoj disa gjëra, nuk e mohoj që nuk më pëlqen, por nuk kam çfarë të bëj. Jam këtu prej 18 vitesh dhe e di se si funksionon ky klub. Nuk mund të ndal njerëzit të flasin, mund të them vetëm se jam në krah të lojtarëve të mi. Nuk është koha të tregojmë me gisht kush ka fajin por të mundohemi të fitojmë, që jam i sigurt se do ta bëjmë. Pastaj me gabimin e radhës do të rifillojë historia, futbolli nuk ka memorie. E di. Kështu është dhe pikë”, tha Zidan para gazetarëve. /vipsport.al/