Zhiru vë kushte që trembin Interin, do kontratë afatgjatë dhe shumë para

Olivier Zhiru është kthyer në një objektiv të merkatos së janarit për klubin e Interit i cili kërkon një tjetër alternativë në vijën e parë pas dëmtimit të Aleksis Sançez. Kontaktet mes palëve kanë filluar dhe Antonio Konte i cili njeh mirë futbollistin, ka dhënë pëlqimin e tij që të kërkohet të afrohet ky lojtar.

Vetë Zhiru do të largohet nga Londra, ku nuk po gjen më hapësira nën drejtimin e Lampard, siç konfirmoi edhe vetë Didier Deshamp. Ai ka marrë disa oferta interesante nga MLS (Nju Jork FC dhe Vankuver Uajtkeps), por është gati të dëgjojë edhe nga kampionate të tjera, me Lionin në garë, si dhe klubet italiane.

Megjithatë, kontaktet e para me zikaltërit nuk kanë qenë edhe aq pozitive. Klubi italian është trembur kur ka dëgjuar kërkesën e tij, për një kontratë prej 2 vitesh e gjysmë duke filluar nga janari e sidomos një rrogë prej rreth 8 milionë eurosh në vit, aq sa përfiton aktualisht nga blutë londinezë. /vipsport.al/