Xherard ndërron mendje për Grezdën, por sulmuesi nuk ia shpërblen

Eros Grezda është kthyer të veshë përsëri fanellën e klubit të Rejnxhërs, sinjal se Stiven Xherard kishte ndryshuar mendje sa i përkiste futbollistit. Dy javë më parë trajneri anglez kishte deklaruar se Grezda nuk do të vishte më këtë fanellë pasi kishte pështyrë një kundërshtar ndërsa po luante me të rinjtë.

Por sot, Grezda është kthyer përsëri në fushë me skuadrën e të rinjve, ku aktivizoheshin edhe disa prej lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë me Rejnxhërs. Ata kanë luajtur kundër Karlajl, një ekip i kategorisë së dytë skoceze e për fatin e keq, u mundën 2-1 dhe me Grezdën protagonist negativ.

Trajneri i dha mundësinë Grezdës të shënonte një gol që do t’i bënte mirë për moralin, pasi ekipi i të rinjve të Rejnxhërs fitoi penallti që në minutën e katërt. Por ai goditi më fort se sa duhet nga pika e bardhë dhe topi doli jashtë duke prekur pjesën e sipërme të traversës. Një rast i humbur që ka pasur efektin e kundërt të asaj që mendonte klubi, pasi kritikat ndaj Gerzdës në mediat skoceze pas sfidës janë shtuar edhe më shumë, ndonëse bëhej fjalë vetëm për një ndeshje miqësore pa shumë rëndësi. /vipsport.al/