Vllaznia publikon çmimet e biletave për ndeshjen ndaj Partizanit, klubi ka një mesazh për tifozët

Klubi i Vllaznisë ka publikuar ditën e sotme çmimet e biletave për ndeshjen e së shtunës në stadiumin ‘Loro Boriçi’ ndaj Partizanit. Kuqeblutë vijnë nga një ecuri pozitive teksa kanë triumfuar në dy ndeshjet e fundit dhe janë në krye të kampionatit me 12 pikë. Kështu, të besuarit e trajnerit Jonuz kërkojnë vazhdimësinë përballë të kuqve, ndërsa kanë nevojë edhe për mbështetjen e spektatorëve.

Bileta në tribunën A+B do të kushtojë 500 lekë të rinj, një vend në tribunën VIP kushton 1000 lekë të rinj, ndërsa sektorët e tjerë të stadiumit bileta kushton 300 lekë të rinj. Sakaq, klubi i Vllaznisë iu ka bërë thirrje tifozëve të jenë korrekt në mbështetjen ndaj ekipit pasi janë të paralajmëruar nga FSHF për shkak të incidenteve të ndodhura në sfidën me Tiranën.

Njoftimi i klubit të Vllaznisë:

KF Vllaznia bën të ditur se duke nisur që nga dita e premte datë 18.10.2019, ora 10.00, në sportelet pranë stadiumit “Loro Boriçi” do të nisë shitja e biletave të ndeshjes Vllaznia- Partizani. Ju bëjmë me dije se çmimet e biletave për këtë ndeshje do të jenë si më poshtë:
Tribuna C 300 lekë
Tribuna D 300 lekë
Tribuna A+ B 500 lekë
Tribuna VIP 1.000 lekë

Ju ftojmë të jeni të pranishëm në këtë ndeshje për të mbështetur skuadrën tonë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Njëkohësisht, do të kërkonim nga ana Juaj që të jeni sa më korrekt në mbështetjen tuaj, nisur nga ngjarjet e ndodhura në takimin me Tiranën dhe fakti që jemi të paralajmëruar për ndëshkime të tjera nga ana e FSHF-së.

Kjo padyshim që nuk i vlen askujt dhe ajo që e pëson është vetëm Vllaznia, prandaj dhe kërkojmë nga ana Juaj të respektoni rregullat dhe kërkesat e insitucioneve përkatëse për mënyrën si duhet të bëni tifozllëk.

Forca VLLAZNIA!