Vjen edhe momenti i Dermakut, mbrojtësi i Kombëtares debuton si titullar në Serinë A

Kastriot Dermaku bëri një lëvizje të madhe në karrierën e tij duke u larguar nga Kosenca për të firmosur me skuadrën e Parmës. Ai arriti të luante me “kryqtarët” pak javë më parë në miqësore, ndërkohë që sot ka ardhur dita që Dermaku të debutojë edhe në Serinë A italiane.

Mbrojtësi kuqezi e nisi si titullar ndeshjen kundër Xhenoas në shtëpi, duke u vënë në qendër të mbrojtjes nga trajneri. D’Aversa kishte paralajmëruar në fakt që në konferencë për shtyp se do të kishte hapësira për të gjithë duke përmendur edhe emrin e Dermakut i cili ka pritur 8 javë për të regjistruar ndeshjen e tij të parë në elitën e futbollit italian.

Mbrojtësi shtatlartë, ishte titullar edhe në dy ndeshjet e Kombëtares shqiptare pak ditë më parë kundër Turqisë dhe Moldavisë, teksa këto paraqitje duket se e kanë bindur trajnerin për t’i dhënë minuta në kampionat. /Erjon Allaraj-VipSport.al/