VIDEO / Teutës i mjafton magjia e Kallakut, nis arratinë në kryesimin e Superiores

Skuadra e Teutës ka fituar sot me shifrat 1-0 ndaj Flamurtarit ndeshjen që hap javën e 8 të Superiores, duke u shkëputur tre pikë në kryesimin e kampionatit, në pritje të rivalëve direkt të saj.

Në një ndeshje pa shumë emocione, por të dominuar në lojë nga durrsakët, diferencën e ka bërë magjia e të zakonshmit Kallaku në fillimin e pjesës së dytë kur me një gjuajtje mjeshtërore dërgoi topin në rrjetën e portës së Moçkës.

Një sukses shumë i rëndësishëm për renditjen por edhe për moralin e ekipit të Shkëmbit, i cili sheh të shkëputet në kryesim dhe shkon më i qetë në duelin ndaj Laçit në mesjavë. Ndërkohë, Flamurtari vazhdon të mbetet në fundin e tabelës së klasifikimit në një situatë që duket pa zgjidhje për vlonjatët.

Teuta-Flamurtari 1-0
47′ Kallaku

Teuta: Frashëri, Todorovski, Arapi, Hoxha, Kuro, Avdyli (90′ Beqja), Aleksi, Kallaku (82′ Gashi), Çyrbja, Khalid, Nikaç (63′ E. Vila).
Trajner: B. Shkëmbi

Flamurtari: Moçka, Zeqaj, Sarris (58′ Çelaj), Deliaj, Gocaj, Pjeshka, Rrapaj, K. Nebihu, Nika (70′ Vrapi), Sukaj (85′ Vatnikaj), Ribaj.
Trajner: D. Sadedini

KV: 23′ Gocaj. 81′ Pjeshka

Gjyqtar: Laver Alla

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Teutës.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

90’ Beqja aktivizohet në vend të Avdylit.

86’ Ribaj ka mundësinë që të rrezikojë pasi merr një top në zonë, por gabon gjithçka duke u rrëzuar në zonë në vend që të gjuante.

85’ Vatnikaj merr vendin e Sukajt në fushën e lojës për Flamurtarin.

83’ Harkim nga e djathta në zonë për Vilën, gjuajtja e tij me kokë nuk gjen kuadratin.

82’ Shkëmbi zgjedh që në minutat e fundit të shtojë forcat në mesfushë, duke aktivizuar Gashin në vend të autorit të golit, Kallakut.

75’ Ritëm shumë i ulët në këto minuta falë edhe ndërprerjeve të shumta për faulle.

73’ Gjuajtje e fortë e Çyrbjes në hyrje të zonës, por ndalet nga një mbrojtës i Flamurtarit.

70’ Nika i lë vendin në fushë Vrapit në radhët e vlonjatëve.

69’ Dominim i plotë i Teutës në këto minuta, sulme të pareshtura pranë zonës të Flamurtarit që nuk po arrin të reagojë.

66’ Gjuajtje nga larg e Çyrbjes, sfera nuk gjen kuadratin e vlonjateve.

63’ Nikaç i lë vendin në fushën e lojës Emiliano Vilës.

62’ Avdyli nga distanca gjuan në portë, por Moçka pret në dy kohë.

58’ Largohet Sarris i dëmtuar për Flamurtarin, në fushë futet Çelaj.

58’ Khalid shfaqet i vetëm para Moçkës, por nuk arrin të kalojë portierin i cili devijon me këmbë.

54’ Moçka rrezikon me një largim topi dhe Nikaç devijon sferën, por pa arritur ta kthejë drejt kuadratit.

52’ Teuta mundohet që të mbyllë sa më shpejt ndeshjen dhe vazhdon të sulmojë pareshtur zonën kundërshtare por pa gjetur hapësirën për të gjuajtur.

49’ Sukaj shpërthen në krahun e majtë dhe gjuan fort, me topin që prek rrjetën e jashtme të portës së Frashërit.

47’ GOOOL Teuta, shënon Kallaku. Sulmuesi i durrsakëve merr topin në zonë dhe pasi shmang mbrojtësin, lëshon një goditje të pakapshme për Moçkën.

46’ Fillon pjesa e dytë pa zëvendësime në radhët e dy ekipeve.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë pa shumë emocione dhe pa gola.

45’+2’ Khalid gjuan nga jashtë zonës, por Moçka pret në pozicion i vëmendshëm.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

43’ Gjuajtje e fortë e Nikaç, mbrojtja durrsake e devijon në goditje nga këndi që nuk sjell asgjë të re.

37’ Pas zhvillimit të një goditje dënimi në favor të Teutës, topi harkohet në zonë ku Khalid me kokë gjuan por nuk gjen katërkëndorin me sferën që kalon mbi traversë.

33’ Top i gjatë nga e djathta për Nikën në shtyllën e dytë, futbollisti rrëshqet dhe mundohet ta devijojë sferën në portë por topi kalon jashtë.

31’ Frashëri shpëton portën e tij, Nebihu shfaqet në pozicion të favorshëm për të shënuar por gardiani me këmbë devijon sferën.

28’ Nikaç mundohet të zërë në befasi Moçkën me goditjen e tij me kokë, por gardiani reagon në pozicion, para se sulmuesi të sinjalizohej në pozicion jashtë loje.

22’ Avdyli provon nga distanca, pa shumë sukses sepse topi nuk i afrohet katërkëndorit për të shqetësuar portierin e vlonjatëve.

20’ Flamurtari mundohet të reagojë me një goditje nga këndi të siguruar nga Ribaj, por nuk arrijnë të krijojnë shqetësime për Frashërin pasi edhe gjuajtja e Sarris me kokë shkon shumë larg kuadratit.

16’ Goditje nga këndi për Teutën, Hoxha me kokë mundohet të kalojë Moçkën por gardiani pret pa shumë probleme.

13’ Top i gjatë në zonë për Nikaç, mbrojtësit rrethojnë sulmuesin dhe Moçka i qetë pret në pozicion.

10’ Insistojnë durrsakët të cilët kërkojnë me ngulm të gjejnë rrjetën në këto momente por prapavija e Flamurtarit nuk lejon gjuajtjet në portë.

5’ Aksion në krahun e djathtë për durrsakët, Kallaku rrëzohet në zonë pas një kontakti por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Protesta të durrsakëve.

2’ Sulmi i parë i takon durrsakëve me një aksion në krahun e majtë të Khalid, por që mbyllet mirë nga mbrojtja vlonjate.

1’ Fillon ndeshja në stadiumin thuajse bosh.

0’ Një minutë heshtje në nderim të figurës së Miço Papadhopullit nga të dy skuadrat.