VIDEO/ Racizmi në ndeshjen ndaj Anglisë, legjenda e Bullgarisë nuk i mban dot lotët në emision

Ndeshja kualifikuese për Euro 2020 e Bullgarisë ndaj Anglisë u njollos nga racizmi i tifozëve bullgarë kundrejt lojtarëve britanikë. Ngjarja ka bërë bujë të madhe, ndërsa takimi i ndërpre dy herë për të paralajmëruar tifozerinë që të ndalonte koret apo gjestet me natyrë raciste.

Gjithsesi, anglezët pavarësisht se thirrjet vazhduan, e çuan ndeshjen deri në fund, teksa tashmë presin që Bullgaria të marrë një dënim të rëndë nga UEFA. Në Bullgari është shkaktuar një rrëmujë e madhe, ndërsa janë bërë gati për të pritur dënimin shembullor. Ndërkaq, edhe presidenti i Federatës ka dhënë dorëheqjen me kërkesë të Kryeministrit.

Një nga ata personazhe që e ka përjetuar shumë keq këtë çështje është legjenda e Bullgarisë Hristo Stoiçkov. Ish-sulmuesi i CSKA Sofies dhe Barcelonës, duke folur mbi këtë temë në një studio televizive, nuk mundi të përmbante lotët duke u shprehur se ky ishte  një turp. Ndërsa, u shpreh se kërkon dënimin më të rëndë për ata që shfaqën sjelljen raciste. /Egi Çabeli-VipSport.al/