VIDEO / Një talent shqiptar bëhet protagonist, Palermo thyen rekord në Itali

Klubi i Palermos vazhdon rrugëtimin e tij drejt ringjalljes dhe po argëton me fitore javë pas jave tifozët e vet. Protagonistë të kësaj ecurie, e cila këtë javë ka vendosur rekorde të mirëfillta, janë edhe dy shqiptarët Masimiliano Doda dhe Erdis Kraja, të cilët shpesh kanë gjetur rrjetën në këto 8 javë të para të kampionatit, ku Palermo ka qenë i pagabueshëm.

Ekipi ka regjistruar ndaj Likata fitoren e 8 radhazi në po aq ndeshje të luajtur, duke barazuar rekordin e vjetër të Serisë D të vendosur nga Savoja, por do të ketë mundësinë që në javën e ardhshme ta thyejë atë. Ndërkohë, ka thyer një tjetër rekord unik në histori, pasi ka arritur të mbushë stadiumin “Renzo Barbera” si askush tjetër në këtë kategori. Shifrat zyrtare flasin për 19726 tifozë të pranishëm në këtë ndeshje, prani mbresëlënëse kur mendon se në kategorinë e katërt kanë shkuar më parë edhe emra të tjerë të mëdhenj si Napoli, Fiorentina e Parma, por nuk kanë arritur asnjëri një mbështetje të tillë.

Për të mbajtur gjallë edhe rekordin e fitoreve radhazi, këtë herë u desh një kontribut vendimtar nga një prej dy shqiptarëve. Tre minuta para fundit të ndeshjes, një futbollist kundërshtar po shkonte drejt portës dhe Doda me shpejtësi u hodh para tij duke devijuar sferën në momentin e fundit e shpëtuar katërkëndorin nga goli i barazimit. Nëse Palermo bën komplet të tijin rekordin në javën e ardhshme, një meritë e madhe do të jetë padyshim edhe e talentit 18-vjeçar shqiptar. /vipsport.al/