VIDEO / Himni i Champions League ushton në Tiranë, prova në “Arenën Kombëtare”

E imagjinoni të dëgjoni himnin e Ligës së Kampioneve në një stadium në mes të Tiranës? Shumëkush në fakt është çuditur kur duke kaluar pranë “Arenës Kombëtare” ka dëgjuar pikërisht tingujt e famshëm që shoqërojnë mesjavat futbollistike.

Në impiantin e ri kryeqytetas po bëhen të gjitha testet e mundshëm sa më shumë afron data e inaugurimit të tij dhe ato të sistemit audio janë të vazhdueshme për të siguruar që gjithçka është në rregull në lidhjet që vendosen në çdo tribunë. Pjesë e testit audio të impiantit, siç tregon video e mëposhtme, ka qenë pikërisht edhe melodia e njohur, e cila për pak minuta ka ushtuar në këtë impiant edhe për çudinë e të gjithë atyre rreth e rrotull që e kanë dëgjuar.

Stadiumi i ri pritet të inaugurohet në nëntor, për ndeshjen me Francën, por më parë duhet të kalojë testin e UEFA-s ndaj këtë muaj do të provohet që gjithçka punon në perfeksion që të sigurohet që ndeshja do të luhet aty e jo në Elbasan. /vipsport.al/