VIDEO / Dueli mes Shpresave, “Kuqezinjtë” nënshtrojnë “Dardanët” në 5 minuta

Kombëtarja shqiptare Shpresa ka mundur sot atë të Kosovës me shifrat 2-1 në duelin e parë zyrtar mes tyre në eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe. Skuadra e Alban Bushit ka fituar falë 5 minutave të vrullshëm në fundin e pjesën së parë.

Pas një dueli shumë të luftuar e spektakolar sidomos në pjesën e parë, në të dytën diferencën e kanë bërë dy situata të zgjidhura shumë mirë nga kuqezinjtë.

Fillimisht ishte Tafa që shënoi pas një goditje dënimi, e më pas ishte Muëolli i cili 5 minuta më vonë dërgoi topin në rrjetë pas aksioni individual.

Goli i Baftiut për Kosovën erdhi shumë vonë për të shqetësuar kuqezinjtë dhe sfida u mbyll me suksesin 2-1, që është i pari në këto eliminatore për përfaqësuesen Shpresa.

Shqipëri U21-Kosovë U21 2-1
76′ Tafa, 81′ Muçolli / 89′ Baftiu

Shqipëria U21: Selmani, Maloku, Tafa, Bajramaj, Pëllumbi (64′ Ndrecka), Zejnulai (64′ Shehu), Mala, Çokaj (90′ Mersinaj), Xhixha (90′ Kolaj), Kallaku (61′ Muçolli), Broja.
Trajner: Alban Bushi

Kosova U21: Smakiqi, Hajrizi,  Xhemajli, Kolgeci, Kastrati I, Pepsi (88′ Idrizi), Abedini, Lushaku (77′ Hoxha), Muja (77′ Baftiu), Kastrati II, Daku (57′ Mustafa)
Trajner: Rafet Prekazi

KV: Çokaj, Tafa, Kolaj, Ndrecka, Shehu / Daku

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me suksesin 2-1 të Shqipërisë.

90’+5’ Goditje dënimi ballore, Mustafa gjuan por mbi traversë.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

89′ GOOOL Kosova, shënon Baftiu. Pas një goditje nga këndi, sulmuesi gjen hapësirën për të goditur me kok dhe mposht Selmanin. 

87’ Smakiqi gabon në largimin e topit dhe Muçolli për pak sa nuk përfiton për të shënuar edhe golin e tretë, Kosova duket e dorëzuar në këto minuta.

81’ GOOOL Shqipëria, shënon Muçolli. Mesfushori insiston pas një aksioni në qendër dhe largimin e Xhemajlit e kthen në gjuajtje në portë. 2-0 për kuqezinjtë.

77’ Dy zëvendësime të menjëhershme për Kosovën, me Prekazin i cili hedh në fushë Hoxhën dhe Baftiun duke freskuar mesfushën.

76’ GOOOL Shqipëria, shënon Tafa. Goditje dënimi për kuqezinjtë nga krahu i djathtë, topi harkohet në zonë ku Tafa i vetëm devijon topin në rrjetë. 1-0

73’ Aksion i jashtëzakonshëm i Kastratit nga e djathta, devijimi i Selmanit lë topin në këmbët e Mustafës i cili gabon para portës duke dërguar sferën mbi traversë.

68’ Aksion i gjatë me shumë qarkullim topi nga Kosova nga një krah në tjetrin. Muja provon nga e majta të harkojë në zonë por fiton vetëm një goditje dënimi që nuk sjell rrezik në portën e Selmanit.

64’ Në fushë Ndrecka dhe Shehu për Pëllumbin dhe Zejnulain.

61’ Edhe Kallaku largohet nga fusha e lojës për kuqezinjtë, hyn Muçolli.

59’ Pepsi provon nga jashtë zonës me një gjuajtje të fortë ballore, sfera përfundon në duart e Selmanit.

57’ Lëvizja e parë është për Kosovën, largohet Daku dhe në fushë hyn Mustafa, i cili më parë ka luajtur me Shpresat kuqezi.

54’ Kastrati kalon mirë në krahun e djathtë, por pastaj harkimi i tij në zonë nuk ka asnjë të gatshëm në zonë.

50’ Ritëm pak më i ulët se në pjesën e parë të ndeshjes në këto minuta.

48’ Broja mundohet të kalojë në krahun e majtë pas një iniciative të mirë të Pëllumbit, por shtyn topin më shumë se sa duhet dhe e humb në anësore.

46′ Fillon pa ndryshime mes skuadrave pjesa e dytë e ndeshjes.

45’+1’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

42’ Tension në fushë. Moslargimi i topit nga Kosova pas një dëmtimi të Brojës dhe një ndërhyrje e Tafës bën që lojtarët e dy skuadrave të përplasen me njëri-tjetrin. Gjyqtari qetëson gjithçka duke i treguar të verdhin mbrojtësit shqiptar.

41’ Mala gjen përsëri hapësira në krahun e djathtë dhe harkon në shtyllën e dytë për Xhixhën, i cili gjuan me kokë por pa shqetësuar shumë Smakiqin e vëmendshëm.

39’ Aksion i shkëlqyer me dyshen Broja-Mala në krahun e djathtë, topi harkohet nga mesfushori i Partizanit në shtyllën e dytë për Xhixhën i cili gjuan por Smakiqi kontrollon gjithçka me lehtësi.

37’ Kallaku provon të majtën e tij me një gjuajtje nga jashtë zonës, Smakiqi pret jo pa vështirësi në pozicion.

34’ Kosova përgjigjet me një aksion spektakolar ku Kastrati dhe Daku kombinojë me njëri-tjetrin, Futbollisti i Lokomotiv Zagrev gjuan me të majtën dhe topi kalon pak mbi traversë.

32’ Mala nga e djathta gjen hapësirën për të gjuajtur dhe provon portën, por pa sukses pasi sfera kalon mbi traversë.

27’ Broja i pandalshëm në krahun e djathtë, arrin përsëri të shkojë drejt zonës, por Kastrati e ndalon në momentin e pasimit.

26’ Goditje dënimi për Kosovën, topi harkohet me zonë ku Kastrati me kokë gjuan drejt portës por Selmani pret i qetë.

21’ Broja lë pas kundërshtarin në krahun e djathtë, pason në qendër për Xhixhën i cili nuk arrin të gjuajë drejt portës.

18’ Ka rënë disi vrulli i minutave të para, md ekipet më të kujdesshme në prapavijë.

13’ Çokaj është i ndëshkuari i parë i ndeshjes pas një faulli ndaj Hajrizit.

12’ Broja shfaqet i vetëm para portës kundërshtare por vonohet dhe mbyllet nga Xhemajli në momentin e gjuajtjes.

11’ Tjetër shpërthim i Kastratit dhe tjetër mundësi e mirë për Kosovën, Bajramaj këtë herë është perfekt në ndërhyrjen e tij duke larguar topin.

8’ Kundërzbritje e shpejtë e të zakonshmit Kastrati, pas një kontakti me Bajramajn ai rrëzohet në zonë por për gjyqtarin nuk ka penallti.

7’ Provon edhe Çokaj nga jashtë zonës, sfera kalon lart mbi traversë.

6’ Xhixha ka mundësinë e artë të shënojë golin e avantazhit por ndalet nga Smakiqi i cili më pas pret edhe gjuajtjen e Brojës. Vendimtar portieri që shpëton portën nga një gol i sigurt.

5’ Arbenit Xhemajli rrezikon seriozisht portën e Selmanit, sferë e goditur me kokë kalon mbi traversë.

3’ Kastrati shpërthen në krahun e majtë pasi i ikën mbulimit të Malokut por shtyn topin me shumë se duhet dhe e dërgon në fundore.

1’ Broja menjëherë gjen hapësirë në prapavijën kundërshtare duke rrezikuar e fituar një goditje këndi.

1’ Nis ndeshja me topin nga qendra për Kosovën.